Vizitë në kompaninë “Yura Corporation Albania” Fier, me rastin e 1 – vjetorit të investimit të kompanisë
U zhvillua në qytetin e Fierit, ceremonia e inagurimit të fabrikës së kompanisë koreano-jugore Yura Corporation Albania. Kompania operon në sektorin e prodhimit të pjesëve të automobilave, me një investim gjigand prej rreth 1 Miliard lekësh.
Yura Corporation Albania ka deri më sot mbi 600 të punësuar dhe pritet të krijojë edhe 700 vende të reja pune vitin e ardhshëm, duke arritur një total prej 2000 punonjësish në vitin 2023. Ndërsa volumi i eksporteve të kompanisë parashikohet të mbërrijë në 100 milionë Euro brenda tre viteve.
Pjesë e ceremonisë së inagurimit ishte Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, Drejtori i AIDA-s Z. Sokol Nano, Ministrja e Financave Znj. Anila Denaj, CEO i Kompanisë Yura Corporation Albania, Z. Lucas Nam, Kryetari i Bashkisë Fier Z. Armando Subashi dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore.
Fjalën hapëse të ceremonisë e mori Drejtori Ekzekutiv i AIDAs Z. Sokol Nano, i cili theksoi faktin se Yura Corporation Albania është një nga investimet më të mëdha ndërkombëtare dhe me ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Z. Nano përmendi punën e bërë nga AIDA në ndihmë të kompanisë Yura Corporation Albania dhe të investitorëve të tjerë në vend, duke i ndihmuar që në hapat e parë të idesë së projektit dhe në vazhdim të implementimit të saj.
Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, në fjalën e tij u shpreh se: “Reformat e Qeverisë Shqiptare dhe vëmendja e shtuar e AID-s ndaj investitorëve kanë dyfishuar stokun e investimeve të huaja në vend në 2019, krahasuar me gjashtë vite më parë”
Kryeministri vlerësoi se: “ky është një investim jashtëzakonisht i rëndësishëm për Fierin, për profilin që ka dhe fuqinë tërheqëse që krijon duke e bërë më të lehtë rrugën e thithjes së investimeve të tjera në fushën e prodhimit për automobilët”. Z. Edi Rama shprehu se: “për ne ka shumë rëndësi që punonjësit të paguhen sa më mirë dhe përfaqësuesi i kompanisë më tregoi se rritja e pagave do të përshkallëzohet në bazë të përfitimit të përvojës. Në bazë të eksperiencës do të rritet me 30% dhe bazuar në rritjen e volumit do të rritet në mënyrë të arsyeshme”.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Znj. Anila Denaj, vlerësoi punën e bërë deri më tani nga kompania Yura Corporation Albania, e mbështetur dhe nga AIDA si ambasadore për rritjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, duke synuar që trendi pozitivi viteve të shkuara të vijojë dhe të rritet më shumë.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
Tiranë, 26.06.2020