Shqipëri–Poloni: Mundësi të reja investimi

Shqipëri–Poloni: Mundësi të reja investimi
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) zhvilloi sot në Tiranë një Investor Roundtable me një delegacion kompanish polake, në kuadër të vizitës së tyre në Shqipëri. Delegacioni u kryesua nga Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë, z. Marcin Bosacki, me pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Enkelejd Musabelliu, dhe Zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Edona Bilali.
Gjatë takimit, AIDA prezantoi klimën e investimeve në Shqipëri dhe sektorët me potencial për projekte të reja, me fokus te turizmi, bujqësia, industria prodhuese, energjia e rinovueshme dhe ICT/BPO. Në prezantim u sollën në vëmendje mundësitë që ofron Shqipëria për investitorët dhe hapësirat për krijimin e partneriteteve me kompani shqiptare.
Nga ana e tyre, kompanitë polake shprehën interes të veçantë për infrastrukturën, ndërtimin, energjinë dhe sektorin digjital, duke diskutuar mundësi bashkëpunimi dhe investimi në tregun shqiptar.
Takimi krijoi një hapësirë të drejtpërdrejtë për identifikimin e mundësive konkrete për partneritete, projekte të përbashkëta dhe investime të reja.
AIDA shpreh gatishmërinë për të vijuar kontaktet me komunitetin e biznesit polak dhe angazhimin për të afruar investitorët e huaj me mundësitë që ofron Shqipëria.
BACK TO NEWS