Aplikim për Grante
Home » NMVM & Eksporte » NMVM » Aplikim për Grante
Si aplikohet për grante pranë AIDA-s?
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve hap thirrjen për mbështetjen dhe zhvillimin e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM), për vitin 2026. AIDA administron fondin “Për zhvillimin e ndërmarrjeve”, sipas përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr. 43/2022 “Për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme”, i cili financohet nga buxheti i shtetit.
Kjo thirrje mbështet zhvillimin e NMVM-ve duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve, standartizmin, inovacionin/rinovimin e teknologjisë, me qëllim nxitjen drejt eksportit dhe forcimin e aftësive të tyre lidhur me shërbimet dhe produktet për një treg të qëndrueshëm. Kjo thirrje synon mbështetjen e NMVM-ve që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të vendit.
Projekt -propozimet e paraqitura nga NMVM-të duhet t’i përmbahen kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për NMVM për vitin 2026.
Drejtimet e Thirrjes për mbështetjen financiare nga Programi “Mbështje për Zhvillimin e Biznesit” janë:
SKEMA 1: MBËSHTETJE FINANCIARE PËR SHPENZIME KORRENTE
- · Vlera e financimit deri në 2.500.000 lekë
- · Mbulimi i kostove 100%
Kostot e mbulueshme:
- · Certifikim i standardeve të prodhimit/shërbimit (përfshirë konsulencën përkatëse në fazën përgatitore);
- · Përmirësim i produktit përmes etiketimit, ambalazhimit;
- · Trajnime të stafit të ndërmarrjes për rritje kapacitetesh në fusha të tilla si: menaxhimi i teknologjive digjitale/inovatore, rrjetet e prokurimit, shërbime marketingu, zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së biznesit, sisteme të reja logjistike softwerike apo pajisje të reja, etj, dhe pajisje me certifikatat përkatëse nga subjekte të licencuara për trajnime;
- · Krijimi i aplikacioneve apo platformave në funksion të zhvillimit të proceseve lidhur me tregtinë elektronike/e-commerce, produkteve të reja dhe/ose shërbimeve, për të përmbushur kërkesat e industrisë së tregut në vend dhe rajon për të përmirësuar biznesin, sistemet logjistike etj;
Thirrja për projekt-propozime do të qëndrojë e hapur 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data e publikimit të saj, __/__/2026
- 1. Projekt – propozimet e paraqitura nga NMVM-të duhet të realizohen brenda vitit buxhetor që do të thotë se aktivitetet e propozuara së bashku me dokumentacionin financiar dhe raportin përfundimtar, duhet të dorëzohen brenda muajit nëntor 2026
Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave do të kryhet nëpërmjet adresës elektronike: ndermarrje@aida.gov.al
Kriteret dhe kushtet, formularët dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim, janë të përcaktuara në:
- · Ligjin nr. 43/2022, “Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”;
- · Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 29.07.2022, “Për krijimin, funksionimin e anëtarëve të Bordit Vlerësues të Kërkesave, si dhe procedurën konkurruese për dhënien e granteve për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesmë”, i ndryshuar me VKM nr. 407, datë 19.06.2024;
- · Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 225, datë 01.04.2026 “Për përcaktimin e masës së përfitimit, kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për vitin 2026”.
- · Udhëzimin nr. 24, datë 12.07.2022, “Për mënyrën e llogaritjes së të dhënave dhe modelin e deklarimit të kategorisë së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme ”.
Nuk përfitojnë nga ky fond ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të cilat kanë përftituar burime financimi nga donatorë apo institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare për të njëjtat zëra apo aktivitete të lejuara nga këto projekte.
Përgjegjësitë e Përfituesve
- Respektojnë në mënyrë rigoroze dhe integrale të gjitha deklaratat e shprehura dhe angazhimet e përfshira në formularin e aplikimit.
- Vënë në dispozicion të AIDA çdo informacion që lidhet me zbatimin e projektit;
- Paraqesin te Njësia Manaxhuese e Grantit të AIDA-s një raport në lidhje me përfundimin e projektit, faturat origjinale për shpenzimet, si dhe çdo dokument të nevojshëm për të bërë të mundur kryerjen e pagesës;
- Pranojnë çdo lloj monitorimi, vlerësimi dhe/apo auditimi për të cilat projekti i aprovuar mund të bëhet objekt, duke siguruar të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, pasi të jenë njoftuar 48 orë para.
- Përfundojnë projektin brenda kohës së parashikuar në marrëveshje.
Konfidencialiteti
Në bazë të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar, i gjithë informacioni i dhënë nga aplikuesit për qëllim të përfitimit nga granti, veçanërisht e gjithë korrespondenca e shkëmbyer është konfidenciale dhe nuk do të zbulohet.
AIDA do të ruajë në mënyrë konfidenciale informacionet e marra nga ndërmarrjet.
Asnjë e dhënë e marrë për AIDA nga ana e aplikuesve nuk do t’u bëhet e ditur palëve të treta pa miratimin e tyre

