Tryezë e rrumbullakët me temë “Si të rrisni vlerën e biznesit tuaj përmes pronësisë industriale”

Sot, në ambientet e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale, u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë “Si të rrisni vlerën e biznesit tuaj përmes pronësisë industriale”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), nga sektori i artizanatit, ITC-së dhe kozmetikës.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Drejtuesve të dy institucioneve, Znj. Laura Plaku (Saro) dhe Znj. Rovena Beqiraj, të cilat falënderuan përfaqësuesit e bizneseve që iu përgjigjën ftesës dhe prezantuan shërbimet që këto dy institucione ofrojnë në mbështetje të NMVM-ve.
Në vijim të aktivitetit, të pranishmit u njohën me objektet kryesore të Pronësisë Industriale si: patentat për shpikjet, markat tregtare, dizenjot industriale dhe treguesit gjeografikë, si dhe me procedurën e aplikimit për regjistrimin e objekteve të pronësisë industriale, duke e ilustruar dhe me shembuj konkretë.
Gjithashtu, përfaqësues të AIDA-s, prezantuan disa nga shërbimet që kompanitë shqiptare mund të përfitojnë, aktivitetet që janë realizuar gjatë vitit të kaluar, si dhe disa nga objektivat që synohen të realizohen gjatë vitit 2024, që lidhen kryesisht me promovimin e NMVM-ve, produkteve shqiptare, aksesin në financë dhe rritjen e kapaciteteve drejt eksportit.
Prezantimet e mbajtura ngjallën interes për pjesëmarrësit, duke u shoqëruar me pyetje specifike dhe sugjerime.
BACK TO NEWS