Sektorët strategjikë

Sektorët strategjikë në përputhje dhe në zbatim të ligjit për investimet strategjike në Shqipëri janë: 1) Sektori energjitik dhe minerar 2) Sektori i transportit dhe infrastrukturës 3) Sektori i turizmit 4) Sektori i bujqësisë dhe i peshkimit 5) Sektori i zonës ekonomike dhe Zonat me prioritet zhvillimi.

1. Sektori energjitik dhe minerar

Shqipëria ka potencial të konsiderueshëm të burimeve të rinovueshme të energjisë nga hidrocentralet, era dhe energjia diellore.

Burimet ujore janë ndër burimet më të rëndësishme natyrore në Shqipëri. Lumenjtë kryesorë dhe qindra lumenj dhe përrenj më të vegjël si dhe territori hidrografik i Shqipërisë me rreth 700 m mbi nivelin e detit ofrojnë një potencial të konsiderueshëm për investime.

Klima e Shqipërisë me rreth 2,400 orë diell në vit dhe mesatarisht 240-300 ditë me diell, me 8 lumenj të mëdhenj dhe 152 rrjedhje të vogla lumenjsh si edhe me potencialin domethënës të energjisë së erës, e ka bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës ku ia vlen të investosh në energjinë e rinovueshme.

Territori i Shqipërisë ndodhet në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik në bregdetin lindor të deteve Adriatik dhe Jon, duke e bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës ku ia vlen të investosh në energjinë diellore.

Shqipëria ka një potencial të energjisë së papërdorur të erës, veçanërisht përgjatë Bregut të Adriatikut ku ndodhen shumë zona me potencial të lartë energjie nga era, duke e bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës ku ia vlen të investosh në energjinë e erës.

Sektori minerar

Shqipëria është shumë e pasur me burime minerale. Depozitat minerale në Shqipëri përfshijnë kromin (32.8 milionë ton) me përqëndrim kryesisht në rajonin e Bulqizës, Kukësit, Hasit, Matit dhe Pogradecit, bakrin (53 milionë ton) me përqëndrim në gjashtë rajone: Puka, Mirdita, Korça, Shkodra, Hasi dhe Kukësi, nikelin e hekurit (220 milionë ton), me përqëndrim në afërsi të Pogradecit, Librazhdit, Bilishtit, Kukësit dhe Peshkopisë. Gjithashtu depozitat minerale perfshijnë gur gëlqeror, gur ranor, asfaltin dhe bitumin natyror, gur gëlqeror dekorativ, gur ranor masiv dekorativ.

Sektori i minierave është rritur çdo vit dhe është përqëndruar kryesisht në prodhimin e kromit, bakrit, hekurit, nikelit, bitumit dhe mineraleve inerte që përdoren si lëndë të parë në industrinë e ndërtimit.

2. Sektori i transportit dhe infrastrukturës

Transporti dhe infrastruktura janë sektorë themelorë ekonomikë dhe socialë të vendit, zhvilluesit dhe kontribuesit e drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe punësimin. Në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe BE, po bëhen përpjekje për të shpejtuar integrimin e rrugës në rrjetet e transportit në Ballkan dhe Pan-Evropian duke krijuar një treg të integruar në mënyrë për të mbështetur në mënyrë efikase zhvillimin e transportit.

Pozita gjeografike e Shqipërise është tepër e përshtatshme për zhvillimin e gjithanshëm të saj, prandaj me të drejte Shqipëria është cilësuar shpesh si “portë hyrëse në Ballkan”, ose si “urë lidhëse në Europën Juglindore”.

Shqipëria, me rreth 316 km kufij detare, 72 km kufij liqenore dhe 48 km kufij lumore,  ka kushte të favorshme natyrore dhe burime reale për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve, transportit, turizmit, peshkimit, me të gjitha zonat bregdetare të pellgut të Adriatikut dhe më gjerë. Shqipëria ka katër porte kryesore në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Dy portet e tjera, Porto Romano dhe Petrolifera shërbejnë kryesisht për transportin e nënprodukteve të naftës dhe gazit. Transporti dhe portet detare janë sektorët kryesorë jo vetëm të zhvillimit të sistemit të transportit, por edhe të zhvillimit ekonomik të vendit dhe veçanërisht të industrisë së turizmit.

3. Sektori i turizmit

Shqipëria po rekomandohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik nga operatorë turistikë të ndryshëm dhe udhëzuesit ndërkombëtarë të udhëtimit. Vendi ka mbështetur zhvillimin e turizmit në trashëgiminë natyrore dhe kulturore: vendet e UNESCO-s, ushqimet tradicionale, plazhet e bukura, ekosistemet e pasura etj. Në vitet e fundit, turizmi është bërë një nga sektorët më të rëndësishëm e në rritje të ekonomisë shqiptare dhe është konsideruar si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare.

Turizmi, gjithashtu është bërë më i larmishëm gjatë disa viteve të fundit dhe tani shihet se përbëhet nga tre fusha kryesore:

  • Turizmi bregdetar, ku fokusohet në turizmin “plazh dhe diell”. Destinacionet kryesore bregdetare janë Velipoja, Shëngjini, Durrësi (Deti Adriatik), Vlora, Himara, Saranda, Ksamili (Deti Jon). Produkti “plazh dhe diell” në disa rajone të Shqipërisë, ofron avantazhe në mjedisin natyror, objektet e akomodimit, shërbimet e kuzhinës dhe shërbimet speciale.
  • Turizmi kulturor, burimet dhe historia e Shqipërisë në arkeologji, trashëgimi dhe kulturë, ofrojnë potencial të konsiderueshëm.Shqipëria ofron tre vende të Trashëgimisë Botërore: Parku Arkeologjik Butrinti, zonat UNESCO Berat dhe Gjirokastër, pasuar nga një sërë atraksionesh dhe monumentesh historike dhe kulturore.
  • Turizmi natyror-rural-ekoturizmi, klima e Shqipërisë, gjeografia dhe shumëllojshmëria fizike e territorit, të përfaqësuar nga një sërë malesh, liqenesh, lumenjsh dhe lagunash shoqërohet me biodiversitet të pasur të florës dhe faunës. Këto janë të pranishme në një numër parqesh kombëtare dhe rezervave natyrore brenda vendit. Zonat natyrore dhe rurale në Shqipëri ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit rural, ekoturizmit dhe aktiviteteve të bazuara në natyrë.

4. Sektori i Bujqësisë dhe Peshkimit

Bujqësia mbetet një nga sektorët me potencialin më të madh për zhvillim në Shqipëri. Bujqësia është burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave sidomos në zonat rurale të vendit. Shqipëria ka gjithsej 2.8 milionë hektarë tokë, nga e cila  699 mijë hektarë është tokë bujqësore (24 % e totalit) qe mund të kultivohet, livadhet e kullotat zënë 16 %, tokat (inproduktive, urbane, siperfaqe ujore të brendshme) zënë 15 %, pyjet zënë 36 %, ndërsa të tjera  9 %.

Qeveria shqiptare synon të shndërrojë markën “Made in Albania” në një markë të certifikuar dhe të besuar në tregun ndërkombëtar.

Shqipëria ka potenciale ujore natyrore, të cilat janë të përshtatëshme për rritjen e peshqve.

Peshkimi është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare. Zhvillim ka marrë akuakultura, si sektor i rëndësishëm dhe me perspektive për ekonominë vendase. Potencialet janë edhe më të mëdha për shkak se flota po rritet për gjuetinë e sardeles dhe acugës; dy produkte të cilat tashmë përpunohen direkt në vend dhe eksportohen në drejtim të rrjeteve të supermarketeve të Europës. Me parë këto produkte trajtoheshin si rieksporte, ku peshku importohej nga jashtë, përpunohej në vendin tonë dhe pastaj rikthehej në tregjet e huaja. Karkaleci  dhe kallamarët e ngrirë janë dy produkte të tjera që mbajnë stampën “Made in Albania”. Sektori i peshkimit në Shqipëri është i vetmi, i cili mbështetet me karburant pa taksa. Furnizimet e naftës me destinacion anijet e peshkimit janë të përjashtuara nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit dhe kjo ka bërë qe kostot për peshkatarët të ulen.

5. Sektori i zonës ekonomike dhe zonat me prioritet zhvillimi

Hapat e suksesshëm janë ndërmarrë për të krijuar Zona të reja Teknike dhe Ekonomike të Zhvillimit (TEDA), të përcaktuara posaçërisht për zhvillimin e parqeve industriale që do të përfitojnë nga legjislacioni i veçantë dhe stimujt për investime.

Zhvillimi i Zona të reja Teknike dhe Ekonomike të Zhvillimit (TEDA), bazohet në faktorë të favorshëm ekonomikë dhe gjeografikë, si dhe angazhimin e qeverisë për të lehtësuar zhvillimin e biznesit, duke u fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Gjithashtu sektorë të tjerë të rëndësishëm në ekonominë shqiptare janë edhe sektori i Manifakturës dhe  BPO (sektori i Transferimit të Proceseve të Biznesit)

Sektori i manifakturës në Shqipëri është i fuqishëm dhe dinamik, falë aktivitetit të ndërmarrjeve shumë të suksesshme në industrinë e tekstilit dhe këpucëve. Nëpërmjet kësaj përvoje të madhe dhe forcës së aftë punëtore, Shqipëria ofron një potencial të shkëlqyeshëm për të rritur diversitetin e ekonomisë së vet duke kaluar nga industria e tekstileve dhe këpucëve në industrinë e automobilëve.

Sektori i Tranferimit të Proceseve të Bizneseve (të njohura në gjuhën teknike si BPO), përfshin të gjitha aktivitetet e shërbimeve të nënkontraktuara të biznesit. Kompanitë me aktivitet Data Entry dhe Call Center janë mes shërbimeve kryesore të sektorit BPO në Shqipëri.

Sektori i BPO në Shqipëri ka treguar një rritje të qëndrueshme dhe aktualisht punëson rreth 35,000 profesionistë në më shumë se 400 firma. Tirana është epiqendra e BPO në Shqipëri, pasuar nga Durrësi, Shkodra dhe Vlora. Shërbimet BPO në Shqipëri përdoren nga brande si: Adidas, Vodafone, eBay, Sky, Apple, Barclays, Groupon, Air France dhe Alitalia. Tregjet aktuale të klientëve janë: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania, Austria, Zvicra dhe Italia.

Disponueshmëria e forcës së aftë punëtore, aftësitë në gjuhët e huaja si edhe kosto e ulët e punës e bëjnë Shqipërinë një vend që të lakmohet dhe të promovohet edhe më shumë në këtë sektor.