Taksat
Sistemi tatimor në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga një paketë ligjesh, udhëzimesh, rregulloresh, marrëveshjesh tatimore me vendet e tjera, në të cilat gjejnë pasqyrim llojet e tatimeve dhe taksave që aplikohen në Shqipëri, nivelet e tyre, procedurat për vendosjen, ndryshimin dhe heqjen e tatimeve, procedurat e vlerësimit dhe mbledhjes së detyrimeve tatimore, si dhe format dhe metodat e kontrollit tatimor.
Legjislacioni shqiptar parashikon taksat dhe tatimet kryesore, si më poshtë:
- Tatimi mbi fitimin e korporatave, tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël, tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi në burim, taksa e akcizës, taksat vendore, taksat kombëtare.
- Sipërmarrësi si tatimpagues, detyrohet nga ligji të paguajë tatime, taksa ose kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të mbajë tatimin në burim.
- Një regjim tatimor është i pavarur nga forma e organizimit apo personaliteti juridik i një personi me statusin e tregtarit. Përcaktues është qarkullimi, (xhiro) realizuar gjatë një periudhe tatimore (vitit kalendarik).
Sipas regjimit tatimor të cilit i përkasin, si edhe përgjegjësive tatimore që ata kanë për secilin regjim, sipërmarrësit ndahen, në kategoritë e mëposhtme:
- Tatimpagues të tatimit mbi fitimin dhe tatimin mbi vlerën e shtuar.
- Tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, (TVSH).
- Tatimpagues të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin.